“E ofendoi me 2000 lekë”/ Polici procedon penalisht shoferin për “ryshfet të ulët” në Durrës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.11.2025, 19:33

Një episod i pazakontë ka ndodhur në Durrës, ku një 65-vjeçar nga Tirana tentoi t’i shpëtojë gjobës për përdorimin e celularit në timon me një ofertë modeste prej 2000 lekësh. Por në vend që të “rregullonte punën”, ai arriti të prekë sedrën e një efektivi policie.

Sipas njoftimit zyrtar, patrulla e rrugores e ndaloi automjetin në rrugën “Martin Camaj”. Shoferi, me shpresën për të shmangur dënimin administrativ, nxori 2000 lekë dhe ia ofroi policit. Ky i fundit, i tronditur nga niveli i ulët i vlerësimit profesional, vendosi menjëherë ta procedojë për “korrupsion aktiv”.

Në një vend ku mijëra lekë “fluturojnë” çdo ditë përtej radarëve të drejtësisë, Durrësi regjistroi rastin e parë ku një polic nuk u tundua nga paratë, por u ofendua thellë nga shuma e vogël.

Ndoshta është koha të vendosen “standarde minimale” për ryshfete, në mënyrë që të shmangen situata të tilla fyese për dinjitetin uniformës.

65-vjeçari tani është nën hetim për korrupsion aktiv, ndërsa opinioni publik vazhdon të pyesë me ironi: a është e dënueshme tentativa për korrupsion, apo tentativa për kursim?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit