Prej më shumë se gjashtë muajsh, banorët e pallatit përballë stadiumit në Vlorë po jetojnë mes një situate të papranueshme higjieno–sanitare. Pusetat e bllokuara dhe dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe kanë krijuar një mjedis të rrezikshëm për shëndetin, duke përhapur erë të rëndë dhe fekale në hyrjet e godinës dhe në ambientet e përbashkëta.
Sipas banorëve, gjithçka nisi gradualisht, por muajt e fundit problemi është përshkallëzuar deri në pikën ku jeta e përditshme është bërë e padurueshme, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Ujërat e ndotura depërtojnë çdo ditë në shkallë dhe hapësirat e brendshme të pallatit, duke shkelur çdo standard minimal të pastërtisë dhe sigurisë.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ tregojnë qartë situatën alarmante fekale të shpërndara në hyrjen kryesore dhe ujë i ndotur në gjithë zonën përreth.
Banorët tregojnë se gjatë kësaj periudhe kanë bërë disa ankesa në Bashkinë e Vlorës dhe në institucionet përgjegjëse, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete. Ata thonë se ndihen të braktisur dhe të pashpresë, ndërsa uji i ndotur vijon të dalë në sipërfaqe çdo ditë.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve kompetente të reagojnë menjëherë, para se situata të përkeqësohet edhe më tej dhe të rrezikojë seriozisht shëndetin e dhjetëra familjeve.