Pas atentatit tronditës të ndodhur pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, është zbardhur një detaj kyç që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Në fshatin Halil të Krujës, policia ka gjetur një automjet tip Toyota të djegur plotësisht, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i krimit. Gjatë kontrollit në mjet, hetuesit kanë gjetur brenda katër armë zjarri automatike kallashnikov, që dyshohet se janë përdorur në ekzekutimin e Danit.
Viktima, Gilmando Dani, ishte kthyer në Shqipëri nga Barcelona vetëm pak çaste para se të ekzekutohej. Në dalje të aeroportit, atë e priste Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”, që do ta shoqëronte me automjet. Vetëm pak minuta më vonë, autorët i zunë në pritë dhe qëlluan me breshëri ndaj makinës së tyre, duke lënë Danin të vdekur dhe Shaljanin në gjendje kritike në Spitalin e Traumës.
Sulmi ndodhi vetëm disa metra larg hyrjes së aeroportit “Nënë Tereza”, duke shkaktuar panik tek qytetarët dhe udhëtarët që ndodheshin në zonë. Plumbat kanë përshkuar edhe xhamat e një hoteli aty pranë, ndërsa policia rrethoi menjëherë zonën. Autorët u larguan me shpejtësi dhe janë ende në kërkim.