Plumbat e atentatit të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit nuk kanë kursyer as xhamat e hotelit aty pranë, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe udhëtarët që ndodheshin në zonë. Sulmi me armë zjarri ndodhi vetëm pak metra larg hyrjes së aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Dani sapo kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona. Në dalje të aeroportit e priste Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili do ta shoqëronte me automjet. Vetëm pak çaste pasi u nisën, autorët i zunë në pritë qëlluan me breshëri plumbash ndaj makinës, duke lënë të vdekur Danin dhe duke plagosur Shaljanin. Sipas raportimeve dyshohet se njëri prej atentatorëve ka zbritur nga mjeti tip "Toyota" i cili është gjendur i djegur në Krujë derisa është siguruar se Gilmando Dani ka ndërruar jetë
Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë intensitetin e sulmit, me automjete të dëmtuara dhe plumba që kanë përfunduar në fasadën e një hoteli pranë. Zona u rrethua menjëherë nga policia, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi dhe janë aktualisht në kërkim.