Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, është viktima e atentatit të ndodhur pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit. 47-vjeçari po udhëtonte me një automjet luksoz të blinduar, në pronësi të Elvis Kosovës, kur autorët e kanë qëlluar me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend.
Dani ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë, me një histori të gjatë përfshirjeje në ngjarje kriminale që prej vitit 2006. Ai ishte dënuar me 12 vite burg për “gjobëvënie”, si pjesë e grupit të drejtuar nga Emiljano Shullazi, grup që në vitin 2018 u dënua në total me 55 vite burg. Arrestimi i tyre ishte kryer dy vite më herët, në 2016.
Në tetor të vitit 2024, Gilmando Dani ishte liruar nga burgu pas një vendimi gjykate që i dha mundësinë të përfitonte lirinë me kusht, pasi kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit.
Gjatë viteve, ai kishte qenë objekt i disa atentateve të dështuara – një në vitin 2011 dhe një tjetër në 2015, ku ndodhej në shoqërinë e vetë Shullazit. Për shkak të lidhjeve të tij me botën e krimit, Dani ishte shpesh në vëmendjen e policisë dhe ishte arrestuar në disa raste për vepra penale të ndryshme.
Në prill të vitit 2011, gjatë një fushate elektorale në Tiranë, ai u shoqërua nga policia pas një incidenti ku Emiljano Shullazi pengoi një aktivitet të Partisë Socialiste. Po atë vit, në nëntor, Dani dhe Shullazi u arrestuan për armëmbajtje pa leje, pasi në makinën e tyre u gjet një armë zjarri. Në gjykatë, Dani mori përsipër autorësinë e armës, ndërsa Shullazi u shpall i pafajshëm.
Precedenti i parë penal i njohur për Danin daton më 11 shkurt 2006, kur ai u arrestua nga forcat speciale RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje në bashkëpunim”.