Ka vijuar sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) gjykimi për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku Elton Kila, i njohur si Oti Kila, është paraqitur për të dhënë dëshmi. Ai rrëfeu se merret me tregtinë e automjeteve prej më shumë se 25 vitesh, duke përfshirë import-eksportin, shitblerjen e makinave dhe menaxhimin e salloneve të automjeteve në qytetin e Elbasanit, por biznesi i tij u shkatërrua në vitet 2017 dhe 2018.
Kila deklaroi se ditën e plagosjes dhe arrestimit të Nuredin Dumanit ndodhej në Gjermani me familjen dhe mësoi për një kërcënim ndaj tij. Ai gjithashtu tregoi se në vitin 2017 pati një tentativë për shkatërrim prone kur iu vu zjarr servisit të tij në Bradashesh, ndërsa në 2018 biznesi i tij u dogj plotësisht. Në atë periudhë, Kila ishte i ndaluar nga policia shqiptare për dyshime lidhur me mashtrime me sigurime automjetesh, për ngjarje që lidhnin me vitin 2009.
Dëshmia e plotë:
Në 2017 dhe 2018 më kanë shkatërruar biznesin. Kam një biznes prej 25 vitesh në treg për shitblerje makinash. Në 2017 kam pasur një tentativë për shkatërrim prone. Nuk u zbardh si ngjarje. Në 2018 ma shkatërruan fare biznesin. Si biznes e kam në Bradashesh. Hap pas hapi bëra 4 të tillë. Nga 2013 kam një bazë fikse. Para këtij aktiviteti kam qenë edhe jashtë Shqipërisë nga 1998-2003. Kam punuar më pas në import-export. Sillja makina në ato vite që nuk ka pasur shumë. Kam qëndruar në Francë, Gjermani, Zvicër. Në 2006 në Elbasan kam hapur dhe një palestër në Elbasan. Po ashtu kam pasur edhe një agjenci turistike dhe një lokal.
Ngjarja e 2017 ishte vetëm një tentativë. Unë isha në shtëpi. Kisha edhe roje. Më lajmëruan, që ka rënë zjarr jashtë servisit. Zjarrfikësit e fikën zjarrin, por u dëmtuan 3 automjete. Ne 2018 ishte prape zjarrvënie. Unë isha i ndaluar në atë kohë nga policia në Shqipëri pas dyshimeve të drejtësisë italiane në lidhje me mashtrim me sigurimit e automjeteve. Bëhej fjalë për një ngjarje të vitit 2009. Ditën e tretë të ndalimit më vunë zjarr tek biznesi, ku i dogjën 10 automjete dhe 10 motora. Teksa isha i ndaluar ngjarjen e mësova nga TV. Kam qëndruar i izoluar 45 ditë. Shkova në polici e prokurori, ku dhashë deklarime nëse kisha probleme me kënd.
Unë këto ngjarje nuk e di as sot se nga i kam. Pas ngjarjes i biri i rojës, Arbër Ramollari me tha që ka qenë Elio Bitri dhe 2 të tjerë. Elio Bitri rrinte shumë afër punës sime. Frekuentonim të njëjtin lokal. Nuk desha ta kontaktoj Elio Bitrin. Unë po vëzhgoja vetë. Doja të zbuloja më tepër dhe nuk bëra diskutime. Nuk munda të zbuloja më. Ju kam lënë Zotin edhe kaq. Ditën që kam marrë vesh që është plagosur Nuredin Dumani dhe që kanë ardhur për të më vrarë unë kam qenë në Gjermani. Në atë kohë kam pasur Facebook dhe kisha postuar live. Isha me familjen atje. Kur u ktheva në Shqipëri, pas një jave, përfliteshin shumë emra. Pas 2 muajsh doli lajmi se Dumani do vinte për të më vrarë mua në Elbasan.
Nuk e mbaj mend kush ma ka thënë, se m’u errën sytë. Nuk mund ta besoja. Ma kanë thënë disa herë, edhe policë ma kanë thënë, që flitej se ishte nisur për mua. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë emrin e Nuredin Dumanit. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë nga këta. Më kërkoi familja të ikja jashtë, por unë nuk doja t’i lija njollë familjes. Nëse duan, le të vijnë, u thashë. Unë nuk ruhesha nga ndonjë njeri. Nuk kam pasur ndonjë konflikt, që t’i lidhja me këtë.