Reshjet e fundit kanë mjaftuar që Bulqiza të përmbytet sërish nën ujë. Rruga pranë terminalit është përmbytur plotësisht, duke e bërë të pamundur qarkullimin si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Në pamjet që vijnë nga qytetarët, shihet qartë se uji ka pushtuar rrugën kryesore, ndërsa askush nga autoritetet nuk duket në terren.
“Përshëndetje, sot në Bulqizë. Te terminali është përmbytur rruga, nuk kemi ku të kalojmë, as këmbësorët gjithashtu. Hapet sezoni i plazhit në Bulqizë në muajin nëntor,” shkruan një qytetar me ironi, duke shprehur zhgënjimin e plotë ndaj situatës absurde.
Banorët janë të revoltuar me kryebashkiaken Mjeshtri dhe Ujësjellës Kanalizimet, e cila vazhdon të mbyllë sytë përballë një problemi që përsëritet çdo vit. Ndërsa investimet shkojnë në fasada, kanalizimet nevoja më bazike për qytetin mbeten të harruara. Në Bulqizë, mjafton pak shi që rrugët të kthehen në përrua dhe premtimet e bashkisë të mbyten bashkë me to.