Ministrja Koçiu: Shqipëria vend i sigurt, s’ka vrasje, ka dalë nga lista e zezë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.11.2025, 11:53

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e sheh Shqipërinë si një oaz sigurie, ndonëse realiteti dhe raportet ndërkombëtare vazhdojnë të flasin për një Shqipëri ku kërcet arma e krimi thuajse çdo javë.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ajo deklaroi me bindje se Shqipëria është një vend i sigurt, duke theksuar uljen e numrit të vrasjeve dhe rritjen e zbulueshmërisë së veprave penale mbi 94%. Sipas ministres, çdo raport ndërkombëtar e konfirmon këtë transformim, madje vendi qenka larguar edhe nga të gjitha listat e zeza.

“Shqipëria është një vend i sigurt, dhe kjo faktohet nga çdo raport ndërkombëtar. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 94% zbulueshmëri për veprat penale. Në 20,19% të tyre janë zbardhur plotësisht. Janë konfiskuar dhe sekuestruar 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë", tha ajo ndër të tjera.

Por, për ironi të fatit, një prej këtyre raporteve, konkretisht Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025, e rendit Shqipërinë pikërisht mes vendeve me kriminalitetin më të lartë në rajon, me një mesatare prej 5.20 pikësh nga 10. Edhe qytetarwt shprehen se korrupsioni, trafiku i drogës dhe ndikimi i grupeve kriminale vazhdojnë të ushqejnë pasigurinë e përditshme.

Ndërsa ministrja flet për sukses dhe rend të rivendosur, raportet ndërkombëtare dhe përditshmëria e shqiptarëve tregojnë se qetësia është ende më shumë një slogan sesa një ndjesi reale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit