Protestë kundër arrestimit të 27-vjeçarit: Bashkia po na merr padrejtësisht kullotat e fshatit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.11.2025, 23:24

Një grup qytetarësh dhe banorë të fshatit Cerravë janë mbledhur mbrëmjen e sotme përpara Komisariatit të Policisë së Pogradecit, në mbështetje të 27-vjeçarit Kevi Muçllari, i cili u arrestua pas një përplasjeje të ndodhur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Në pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, shihen qytetarë të grumbulluar jashtë komisariatit, të revoltuar ndaj asaj që e quajnë një padrejtësi të hapur ndaj komunitetit të tyre.

Sipas banorëve, gjithçka nisi pas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Pogradecit për t’i dhënë me qira kullotat e fshatit Cerravë një personi që nuk është banor i zonës dhe që, sipas tyre, “askush nuk e njeh”. Ata pretendojnë se ky vendim u heq banorëve të drejtën për të kullotur bagëtitë dhe, në thelb, “u heq bukën e gojës”.

“Këto toka kanë qenë kullotat tona ndër vite. Tani duan t’i marrin për t’ia dhënë një personi që s’është i fshatit tonë. Është e padrejtë. Kevi doli në mbrojtje të interesit publik dhe jo për interesin e vet, por e arrestuan pa të drejtë,” – shprehet njëri prej banorëve.

Banorët thonë se konflikti gjatë mbledhjes ka nisur pasi një nga anëtarët e këshillit bashkiak, Engjëll Shyti, ka provokuar i pari dhe se Muçllari ka reaguar në mbrojtje të vetes dhe të bashkëfshatarëve.

“Nuk duhet të jetë ai në pranga, por ata që marrin vendime kundër njerëzve të thjeshtë. Policia nuk duhet të përdoret për interesa politike,” – shton një tjetër qytetar.

Banorët kërkojnë lirimin e menjëhershëm të 27-vjeçarit dhe hetim të drejtë të ngjarjes, duke bërë thirrje që në rast të mosveprimit të institucioneve, protesta të mos ndalen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit