Një qytetar i shqetësuar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast serioz që ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë ushqimore në vend. Ai ka dërguar një video ku shihet një ëmbëlsirë e llojit pastashut (pasta shu), e blerë për fëmijën e tij, e cila rezultoi e prishur dhe e mbuluar nga myku.
Qytetari tregon se produktin e kishte blerë në një pikë të Big Market në Lezhë, dhe fatmirësisht e ka vënë re para se ta konsumonte fëmija. Në videon e dërguar, ai tregon qartë ëmbëlsirën e mykur dhe kuponin tatimor, duke paralajmëruar se një neglizhencë e tillë mund të kishte pasoja të rënda shëndetësore, sidomos për fëmijët.
“Ja çfarë blihet në Big Market në Lezhë, urdhëroni! Mund të ketë mbi dy javë në frigorifer kjo, edhe shitet për fëmijët. Shikoni si është mykur. Urdhëroni dhe faturën,” – shprehet qytetari në videon e tij.
Ky rast ka shkaktuar indinjatë të madhe, pasi produktet e tilla konsumohen gjerësisht nga fëmijët dhe përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin publik.
Nuk është hera e parë që Big Market përmendet në denoncime të ngjashme për shitjen e produkteve të prishura apo të skaduara, gjë që tregon mungesë serioze të kontrollit dhe përgjegjësisë nga ana e zinxhirit tregtar.
Në një kohë kur standardet e sigurisë ushqimore duhet të jenë prioritet, raste të tilla tregojnë se në Shqipëri ende mungon kontrolli bazë ndaj produkteve që shiten për konsum, veçanërisht për më të vegjlit.