Policia e Pogradecit ka arrestuar qytetarin, i cili ditën e sotme u përfshi në një konflikt fizik me anëtarët e Këshillit Bashkiak. Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec, i cili u arrestua në flagrancë dhe dyshohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Raportohet se Muçllari fillimisht ka debatuar dhe ka ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, ndërsa më pas ka goditur me grusht shtetasin E. Sh., 47 vjeç, anëtar i këshillit. Materialet e mbledhura nga specialistët për Hetimin e Krimeve janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sipas informacioneve zyrtare, sherri ka nisur për një vendim të Këshillit Bashkiak mbi shpronësimin e tokave në zonën e Çërravës në Pogradec. I riu, i prekur nga ky vendim, ka reaguar fillimisht me akuza ndaj këshilltarëve, ndërsa debati më pas ka degjeneruar në përplasje fizike.
Vendimi i miratuar sot ka nxitur debate që prej disa muajsh, pasi kullotat në fshatin Çërrvë do të përdoren për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Banorët kanë protestuar disa herë, por shqetësimet e tyre nuk janë marrë parasysh.