Nga Ministria e së Vërtetës
Burime pranë qeverisë raportojnë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka nisur përgatitjet serioze për “burgun e zi”, jo me avokatë apo deklarata, por me… domino.
Në një foto që po qarkullon në rrjete, Balluku shihet teksa luan domino me një bashkëpunëtor, ndoshta si pjesë e programit të ri qeveritar “Rilindja në burg, edhe aty duhet strategji”.
Sipas zërave në korridoret e pushtetit, loja me domino është faza e parë e trajnimit për jetën pas luksit të tenderave. “Është një mënyrë për të mësuar të presësh me qetësi, sepse në burg radha për dush është më e gjatë se radha për tender”, tha një burim anonim që po numëronte gurët.
Ndërkohë, bashkëpunëtorët e saj mohojnë çdo përgatitje për burg. “Jo, Belinda nuk po stërvitet për burgun. Ajo thjesht po simulon mbledhjet e Komisionit të Prokurimeve Publike, ku gjithçka hidhet me radhë dhe kush ka gurin më të madh, fiton”, thanë ata.
Në fund të ditës, mbetet për t’u parë nëse dominoja do t’i ndihmojë të ndërtojë strategji mbrojtjeje apo thjesht durim për jetën në “burgun e zi”. Një gjë është e sigurt: me aq eksperiencë në lojëra tenderash, edhe në burg mund të shpallet fituese… me ofertën më të lartë.