Një tjetër rast flagrant abuzimi me fondet publike del në pah. Në Bashkinë Vorë, që drejtohet nga Blerim Shera, është zbuluar një tender më shumë për “ngrohjen” e xhepave sesa për ngrohjen e institucioneve.
Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ Albania, bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shpenzime për ngrohje (dru zjarri)”, me numër reference REF-62409-09-23-2025. Fitues është shpallur “ALCANI shpk”, kompania në pronësi të Shaqir Alcani, me ofertë 6,499,200 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 78 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Në garë morën pjesë katër kompani, por ajo që çudit është se fituesi dha ofertën më të lartë nga të gjithë, vetëm pak nën fondin limit prej 6,666,667 lekësh të reja. Me fjalë të tjera, tenderi është ndarë si me peshore, për të mos lënë asnjë qindarkë pa u “përvetësuar”.
Ky nuk është një rast i izoluar. Prej kohësh, në shumë bashki të vendit tenderat janë kthyer në skema të hapura abuzimi, ku gara është thjesht një formalitet dhe fituesi dihet që në nisje. Ndërsa qytetarët përballen me çmime të larta dhe kushte të vështira jetese, milionat e taksave të tyre digjen në “dru zjarri” të korrupsionit.

Ky tender duhet të hetohet menjëherë nga institucionet ligjzbatuese, pasi indiciet e vjedhjes dhe manipulimit janë mëse të dukshme.
