Shkatërrohet grupi shqiptar i trafikut të drogës në Itali

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.11.2025, 19:24

Policia italiane ka goditur një grup shqiptar të dyshuar për trafik droge në zonën e Bolonjës, duke arrestuar tre persona dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Operacioni, i zhvilluar disa ditë më parë në Funo di Argelato dhe i konfirmuar zyrtarisht sot, ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe të mirëorganizuar.

Gjatë aksionit, oficerët zbuluan bazën logjistike të grupit, nga ku dyshohet se shpërndahej droga. Në total, policia sekuestroi 20 kilogramë hashash të ndarë në rreth 200 blloqe, si dhe 44,500 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Vëmendja e policisë u përqendrua në një apartament në Funo di Argelato, i cili dyshohej se përdorej si pikë grumbullimi dhe shpërndarjeje. Hetuesit panë një 20-vjeçar shqiptar duke dalë nga ndërtesa dhe duke u afruar drejt një automjeti “Renault Clio”, ku e priste një shtetas tjetër shqiptar, 34 vjeç.

Të dy u vunë re duke shkëmbyer tufa parash dhe më pas 20-vjeçari mori një çantë të bardhë të madhe nga mjeti “Clio”, të cilën e vendosi në një “Fiat 500”. Pikërisht në këtë moment policia ndërhyri dhe i arrestoi dy të rinjtë.

Gjatë kontrollit, brenda çantës së bardhë në makinën “Fiat 500” policia gjeti 20 kg hashash. Ndërkohë, në “Renault Clio” të 34-vjeçarit u gjetën 42,500 euro, si dhe 1,000 euro të tjera në çantën e tij personale.

Kontrolli vijoi në apartament, ku policia gjeti edhe të arrestuarin e tretë, një shqiptar 44 vjeç me precedentë të mëparshëm penalë për çështje droge. Brenda banesës u gjetën gjithashtu 1 kg marijuanë, 179.66 gram hashash, materiale paketimi dhe 1,000 euro të tjera.

Të tre të dyshuarit u ndaluan menjëherë dhe u shoqëruan drejt burgut Rocco D’Amato në Bolonja. Gjykata urdhëroi masën “arrest me burg” për dy prej tyre, ndërsa 20-vjeçarit iu caktua “arrest shtëpie” me byzylyk elektronik.

Operacioni konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogës në rajon, duke neutralizuar një pikë të rëndësishme shpërndarjeje dhe duke ndaluar tre persona të dyshuar si pjesë e një strukture të mirëorganizuar kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit