SHBA shkatërron dy anije të trafikut të drogës në Paqësor; 6 të vdekur

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.11.2025, 18:34

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër operacion të ashpër kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se forcat amerikane kanë goditur dy anije të dyshuara për transport droge në Oqeanin Paqësor lindor, duke lënë gjashtë persona të vrarë.

Sipas Hegseth, inteligjenca amerikane kishte konfirmuar se të dyja anijet ishin të lidhura me rrjete të kontrabandës së drogës dhe po lëviznin përgjatë një korridori të njohur për trafikun e lëndëve narkotike. Në secilën prej anijeve ndodheshin nga tre persona, të cilët ai i përshkroi si “narko-terroristë”.

Deklarata e tij, e publikuar në Platformën X së bashku me një video të operacionit, theksonte se sulmet u kryen në ujëra ndërkombëtare dhe se qëllimi i SHBA- së është goditja e grupeve kriminale që kërcënojnë sigurinë e vendit.

“Nën Presidentin Trump, ne po mbrojmë atdheun dhe po eliminojmë kartelet terroriste që synojnë të dëmtojnë vendin dhe popullin e tij,” deklaroi Hegseth.

Ky operacion është pjesë e një fushate më të gjerë ushtarake kundër trafikut të drogës. Sipas të dhënave të mëparshme të vetë Hegseth, që nga shtatori SHBA-të kanë kryer 14 sulme ajrore ndaj anijeve të dyshuara pranë bregdetit të Venezuelës dhe në pjesën lindore të Paqësorit.

Operacionet e fundit tregojnë intensifikimin e përpjekjeve amerikane për të goditur zinxhirët e prodhimit dhe transportit të narkotikëve që veprojnë në rajon, një problem që prej vitesh ka shkaktuar tensione të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe rrjeteve kriminale të Amerikës Latine.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit