Një ish-deputete demokrate në New Hampshire, e cila u cilësua si “pionierja e parë transgjinore” në historinë politike të SHBA-së, ka pranuar akuzat e rënda për shfrytëzim seksual të fëmijëve të të miturve në një kopsht.
Stacie-Marie Laughton, 41-vjeçe, e lindur mashkull dhe e identifikuar si femër, ka pranuar fajësinë në një gjykatë federale në Boston për disa akuza që përfshijnë shfrytëzim seksual të fëmijëve. Ajo rrezikon deri në 30 vite burg.
Sipas prokurorëve, partnerja e saj e atëhershme, Lindsay Groves, i kishte dërguar Laughton disa foto tronditëse të fëmijëve të moshës 3 deri në 5-vjeç, të realizuara fshehurazi në tualetin e kopshtit ku ajo punonte në Tyngsborough, Massachusetts.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Laughton i kishte kërkuar partneres të bënte këto foto dhe të dy kishin shkëmbyer mijëra mesazhe për to. Groves pranoi fajësinë muajin e kaluar për shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe shpërndarje të materialeve pornografike.
Të dy u akuzuan në gusht 2023 me tre akuza për shfrytëzim seksual të fëmijëve. Aktet e tmerrshme janë kryer mes majit dhe qershorit 2022 në kopshtin “Creative Minds”.
Laughton nuk është e panjohur për drejtësinë, pasi më parë është detyruar të japë dorëheqjen dy herë nga posti i deputetes për shkak të dënimeve të mëparshme për mashtrim me karta krediti në vitin 2008.
Të dyja pritet të dënohen në muajin shkurt, ndërsa ligji federal parashikon deri në 30 vite burg dhe një gjobë që mund të arrijë deri në 250 mijë dollarë për akuzat e këtij lloji.