Zbardhen detaje të reja lidhur me pengmarrjen dhe dhunimin e 27-vjeçarit në Tiranë, ngjarje për të cilën dy persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre dy vajza.
Në kërkim janë Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj. Hetimet kanë zbuluar se Suate Cenoaliaj, një nga vajzat në kërkim, kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin, por në të njëjtën kohë edhe me Lusjan Kimzën, një prej të arrestuarve, i cili dyshohet se ishte ideatori i rrëmbimit.
Sipas burimeve hetimore, Kimza ka zbuluar se e dashura e tij kishte komunikime me 27-vjeçarin dhe, i shtyrë nga xhelozia, ka organizuar një plan për t’i bërë presion dhe për t’i marrë para. Në këtë plan është përfshirë edhe Monika Marku, e cila ka kontaktuar 27-vjeçarin dhe ka rënë dakord të takoheshin për kafe.
Për të realizuar skenarin, autorët kishin marrë me qira një apartament në Airbnb, ku Monika ka shkuar me 27-vjeçarin. Por sapo kanë hyrë në banesë, nga tualeti kanë dalë djemtë e tjerë, të cilët e kanë dhunuar fizikisht dhe i kanë kërkuar shumën prej 5 mijë eurosh.
I riu është mbajtur peng për disa orë dhe më pas është detyruar të shkojë në shtëpi për të marrë paratë, të cilat ua ka dorëzuar autorëve. Pas ngjarjes, ata e kanë shantazhuar sërish, duke i kërkuar edhe një shumë tjetër me kërcënime.
Për shkak të dëmtimeve të marra nga dhuna, 27-vjeçari është paraqitur në spital, ku mjekët kanë njoftuar policinë. Pas dëshmisë së tij, agjentët kanë organizuar një operacion për zbulimin e autorëve, ndërsa dorëzimi i dytë i shumës prej 5 mijë eurosh është kryer nën kontrollin e policisë, për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës.
Hetimet vijojnë për kapjen e tre të shpallurve në kërkim dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.