Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar një fletëthirrje ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u paraqitur të premten në orën 10:00, në lidhje me hetimet mbi ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011. Berisha është thirrur si person që ka dijeni për ngjarjen, ndërsa hetimet po zhvillohen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i kaloi çështjen në kompetencë të SPAK-ut.
Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga momentet më të errëta të tranzicionit politik shqiptar. Katër protestues Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën pas të shtënave me armë nga Garda e Republikës gjatë demonstratës së organizuar nga opozita socialiste kundër qeverisë së atëhershme të Sali Berishës. Edhe pse disa efektivë të Gardës u dënuan për neglizhencë, autorët e vrasjeve nuk janë identifikuar plotësisht as sot e kësaj dite.
Hetimet janë rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2023, e cila konstatoi se hetimet e mëparshme ishin penguar nga qeveria e kohës dhe se ishin shkelur të drejtat e viktimave. Familjet e të vrarëve, veçanërisht ajo e Aleks Nikës, kanë paraqitur kallëzime të reja penale ndaj Berishës, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi, duke kërkuar drejtësi pas më shumë se një dekade pritjeje.