Babëzia e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit duket se nuk ka fund me qytetarët e thjeshtë, në një kohë kur në kontrast ndërtimet pa leje kanë pushtuar zonat qendrore të vendit.
IMT ndërmori së fundmi një aksion në fshatin Mënik të njësisë administrative Ndroq, disa kilometër larg Tiranës, ku shembi kotecë pulash e hambarë për misër e bar, me pretendimin se janë ndërtime pa leje. Përveç kësaj, banorët u gjobitën me shumë deri në 8 milion lekë të vjetra.
Njëri prej të prekurve është dhe Edmond Pojana, i cili është gjobitur 6.3 milion lekë të vjetra. “Krimi” që Edmondi kishte bërë lidhet me ndërtimin e një koteci për pulat, një hambari për misër dhe një gardhi me rrjetë, për të mbrojtur të mbjellat nga bagëtitë.
Në një intervistë për TVA News, Edmondi tha ndër të tjera: “Në çdo vend ndërtohen resorte pa fund, ata vijnë na shembin kotecët e pulave. Është shtyrë IMT-ja dhe janë seleksionuar këtu 4 veta. Të gjithë kanë kotecë pulash e misri, se në fshat jetojmë. Ndërkohë bashkia shiko si e ka mbushur me mbeturina lumin, ajo është masakër mjedisore.”
Edmondi shton se është baba i 4 fëmijëve të vegjël, dhe i vetmi që punon në familjen e tij prej 6 anëtarësh. Kjo gjobë është një shumë të cilën ai nuk ka mundësi që ta paguajë, prandaj kërkon rishikim të këtij vendimi.
Banorët thonë se IMT ka shkuar për të shembur kotecët për shkak të interesave që kanë palë të treta, e më konkretisht Bledi Miniku, një ish-zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, i cili kërkon të përvetësojë pronat e banorëve.
Shkrimi u mor nga TVA News!