Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në pesë bashki të vendit kaluan shumë qetë, por me shumë pak njerëz në qendrat e votimit. Vetëm rreth 18 % e votuesve dolën të votojnë, nga 334 mijë vetë me të drejtë vote, votuan vetëm 46 mijë. Në shumë zona, kutitë e votimit mbetën thuajse bosh, sepse qytetarët duket se nuk patën as vullnet, as besim se vota e tyre do të sillte ndryshim.
Në të gjitha bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, fituan kandidatët e Partisë Socialiste. Brunilda Mersini në Vlorë mori 78 % të votave, Ervin Ceca në Berat 83 %, Florenc Doka në Cërrik 66 %, Altin Bojni në Mat 66 % dhe Gramoz Sako në Tepelenë 77 %, teksa kandidatët e pavarur të opozitës mbetën shumë pas me vota duke humbur thellë.
Socialistët i morën bashkitë pa shumë mundim, pasi përballë kishin vetëm kandidatë të pavarur apo të mbështetur në heshtje nga opozita. Opozita, nga ana tjetër, nuk e bojkotoi votimin, por as nuk mori pjesë me serioz. Kandidatët që u paraqitën nuk ishin të njohur dhe mungoi çdo shenjë gare e vërtetë. Numri i ulët i votuesve është një tjetër dështim i demokracisë sa i përket procesit zgjedhor.
Duke marrë parasysh rezultatin, në këto zgjedhje, pushteti ruajti qetësisht pozitat, ndërsa opozita u duk sikur ekzistonte vetëm me emër. Zgjedhjet kaluan pa tensione, por lanë pas një pyetje, pse të dalësh të votosh, kur gjithçka duket e vendosur që në fillim dhe opozita nuk ekziston?!