Për brezat e mëparshëm, puna ishte themeli i identitetit dhe suksesit personal, por për Gen Z ajo po shndërrohet në burim ankthi dhe zhgënjimi. Për shumë të rinj, puna nuk është më simbol stabiliteti apo zhvillimi profesional, por një përvojë lodhëse dhe shpesh çnjerëzore, e karakterizuar nga presioni i vazhdueshëm dhe mungesa e autonomisë. Një studim i National Bureau of Economic Research tregon se për të rinjtë nën 25 vjeç, niveli i mirëqenies mendore në punë është pothuajse i njëjtë me atë të të papunëve, duke reflektuar një krisje të thellë të lidhjes mes punës dhe kënaqësisë personale.
Sfidat e tregut të punës janë të shumta: konkurrenca ekstreme për çdo vend pune, proceset e aplikimeve online dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale për intervistat, e bëjnë gjetjen e një punë të denjë një betejë të vështirë. Richard Yoon nga Columbia tregon se 19 nga 20 intervista për të rinjtë zhvillohen me “bots” dhe se CV-të duhet të rishkruhen me fjalë kyçe për të përmbushur algoritmet. Madje edhe ata që arrijnë të punësohen shpesh hasin mikro-menaxhim të tepruar dhe përdorimin e “bossware”, teknologji që monitoron çdo veprim, duke krijuar një ambient pune stresues dhe jo njerëzor.
Dy arsyet kryesore për këtë pakënaqësi janë pritshmëritë më të larta të Gen Z për lumturinë në punë, të ushqyera nga krahasimet në rrjetet sociale, dhe degradimi i mjedisit të punës, ku çdo veprim monitorohet dhe kontrollohet. Për shumë të rinj, pyetja është bërë ekzistenciale, të punosh apo të ruash shëndetin mendor? Ndërsa të rinjtë përballen me këto sfida, lidhja mes punës dhe vetëvlerësimit duket se po shndërrohet nga burim fuqie në burim stresi.