Banorët e fshatit Dushk në Lushnjë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës që të çon drejt varrezave të zonës, e cila, sipas tyre, ka filluar të dëmtohet vetëm pak kohë pas shtrimit me asfalt.
Sipas banorëve, rruga u asfaltua gjatë verës nga bashkia, por me fillimin e shirave janë shfaqur çarje dhe gropa në disa segmente të saj. Ata shprehen se kjo rrugë përdoret çdo ditë nga shumë banorë dhe se cilësia e punimeve ka qenë e dobët, duke bërë që shtresa asfaltike të dëmtohet në një kohë shumë të shkurtër.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve vendore për rindërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i saj. Ata e konsiderojnë situatën si tregues të mungesës së kontrollit mbi cilësinë e punimeve publike, që shpesh dëmtohen menjëherë pas përfundimit.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ Albania, Jam nga Dushku i Lushnjës. Dua të bëj një njoftim për rrugën e varrezave që është shtruar me asfalt nga komuna, por tashmë ka filluar të prishet. Asfalti po çahet dhe po krijohen gropa, edhe pse është bërë prej pak kohësh. Do ishte mirë të bëhet diçka për këtë, sepse rruga përdoret shpesh nga banorët dhe është turp që punimet të dëmtohen kaq shpejt. Faleminderit! Ne vere u shtrua Sa filluan shirat u prish rruga