Një qytetar ka dërguar në JOQ një denoncim për gjendjen e rrugës që lidh Autostradën Thumanë-Kashar me rrugën nacionale Thumanë-Fushë Krujë. Gjendja e rrugës mbetet e degraduar, pavarësisht se ka kaluar një vit që kur, pas shumë protestave, ajo u hap për qarkullim. Çdo ditë përballet me trafik të rënduar, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes vazhdon të shqetësojë banorët, bizneset.
Qytetarët theksojnë se nuk mund të përdorin alternativën e autostradës së re për shkak të distancës dhe kostove shtesë. Me qindra familje, biznese të vogla dhe fabrika që punojnë çdo ditë nga Thumana deri në Fushë-Krujë, ata janë të detyruar të përdorin rrugën ekzistuese, e cila nuk është e mirëmbajtur, duke u përballur çdo ditë me vonesa dhe rreziqe nga infrastruktura e dëmtuar.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Kam shkruar pak javë më parë një denoncim për rrugën që lidh Autostradën Thumanë-Kashar me rrugën nacionale Thumanë-Fushë Krujë. Siç e shikoni në video, kjo është gjendja e rrugës akoma. Ka kaluar një vit që kur, pas shumë protestave, kjo rrugë u hap, por asnjë masë nuk është marrë për mirëmbajtjen e saj. Çdo ditë bëhet trafik i rëndë, siç shihet në video. Për ata që thonë “përdor autostradën e re”, janë me qindra familje, biznese të vogla dhe fabrika nga Thumana deri në Fushë-Krujë që punojnë çdo ditë, dhe kur rruga është aty, pse duhet të bëjnë 12 km më shumë çdo ditë, të shkojnë deri në Rinas, të paguajnë traun dhe pastaj të bëjnë +15 km të kthehen pas në drejtim të Thumanës?