Një veprim i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të Shkodrës, ku forcat e Policisë së Shtetit kanë hequr tabelën me një thënie të Profetit Muhamed, e vendosur në oborrin e xhamisë “Ebu Beker”.
Ngjarja, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ka ndodhur rreth orës 21:00, kur disa efektivë policie, bashkë me Drejtorin e Policisë së Shkodrës, kanë hyrë në rrethimin e xhamisë dhe kanë hequr tabelën pa paraqitur ndonjë dokument zyrtar.
Dëshmitarët pohojnë se tabela ishte vendosur nga vetë Myftinia e Shkodrës dhe ndodhej brenda territorit të xhamisë, pra në pronë fetare, jo publike. Për më tepër, disa ditë më parë një tabelë tjetër e ngjashme ishte hequr nga policia bashkiake jashtë xhamisë me arsyetimin se “zinte hapësirë publike”.
Në tabelë ishte shkruar një thënie profetike:
“Kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, në Ditën e Kijametit, Allahu do t’ia varë në qafë shtatë shtresa toke.”
Burime pranë komunitetit fetar në Shkodër shprehen se veprimi i policisë lidhet me planin e ndërtimit të një pallati 35-katësh në truallin e xhamisë, ndërsa pretendojnë se urdhri për heqjen e tabelës është dhënë nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, diçka që deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pamjet e siguruara nga redaksia e JOQ Albania tregojnë momentin kur policia përdor edhe një mjet prerës për të hequr tabelën nga vendi.
Ky veprim ka shkaktuar reagime dhe indinjatë, ku shumë qytetarë e kanë quajtur një akt të panevojshëm dhe provokues ndaj komunitetit mysliman, duke kërkuar sqarime nga autoritetet për arsyen e vërtetë të ndërhyrjes.