Ndotja e lumit Gjanica në nivele alarmante, erë e rëndë nga nafta dhe vaji i fabrikave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.11.2025, 10:39

Ndotja e lumit Gjanica në Fier ka arritur sërish në nivele alarmante, duke u shoqëruar me një aromë të rëndë e mbytëse që ka shqetësuar banorët e zonës.

Qytetarët fierakë, të indinjuar nga kjo situatë e përsëritur prej vitesh, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse. Ata shprehen se ndotja e Gjanicës ka kaluar çdo limit të pranueshëm dhe se mungesa e reagimit nga autoritetet po dëmton seriozisht shëndetin e komunitetit dhe mjedisin.

“Kjo ndotje shkatërron mushkëritë, është kancer,” – thonë banorët, duke shtuar se “erën e rëndë nuk e duron dot njeri, duhet të ikësh që këtu.”

Sipas tyre, kjo situatë zbeh edhe investimet e bëra në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane, i cili synonte rikualifikimin e qendrës së qytetit. “E mirë për njerëzit nuk është, ndotja nuk kalon,” – shprehet një tjetër qytetar, ndërsa të tjerë tregojnë se lumi është mbushur me derdhje vajrash dhe hidrokarburesh:

“Veç hidrokarbureve, këtu hedhin dhe mbetjet ata që përpunojnë vaj ulliri. Pushteti lokal duhet të marrë masa.”

Ashtu si çdo vit në këtë periudhë, shkaktarët kryesorë të ndotjes dyshohet të jenë fabrikat e përpunimit të vajit të ullirit dhe kompanitë e naftës që operojnë në zonë, të cilat nën petkun e aktivitetit industrial hedhin në lumë mbetje dhe derdhje të pakontrolluara.

Denoncimet e shumta dhe gjobat e vendosura ndër vite nuk kanë sjellë asnjë përmirësim të dukshëm. Përkundrazi, ndotja përsëritet çdo vit me intensitet edhe më të lartë.

Pamjet nga lumi Gjanica tregojnë qartë nivelin e rëndë të ndotjes. Shtresa e vajit në sipërfaqe dhe aroma e rëndë konfirmojnë edhe një herë realitetin që, siç thonë qytetarët, “njeriu po vret tokën ku jeton.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit