Që prej orës 07:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit në pesë bashki të vendit ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore. Deri në orët e para të mëngjesit, sipas të dhënave të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja ka qenë e ulët, me përqindje që variojnë nga 1.45% deri në 6.02%.
Në Bashkinë e Vlorës, janë raportuar 184 nga 231 qendra votimi, me një pjesëmarrje prej 1.45%. Në Bashkinë e Beratit, janë raportuar 95 nga 116 qendra votimi, me 2.44% pjesëmarrje, ndërsa në Bashkinë Cërrik janë raportuar 47 nga 57 qendra, me një përfshirje prej 3.32%.
Ndërkohë, pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në Bashkinë Mat me 6.02%, ku janë raportuar 32 nga 47 qendra votimi. Në Bashkinë Tepelenë, nga 21 qendra në total, janë raportuar 16, me pjesëmarrje 4.73%. Procesi i votimit po vijon normalisht në të gjitha bashkitë, ndërsa pritet që fluksi i votuesve të rritet gjatë orëve në vijim.
