Në pesë bashki të vendit, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë ka nisur sot në orën 07:00 procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore, ku 334.539 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj. Janë hapur gjithsej 473 qendra votimi, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00. Deri në orët e para të mëngjesit, procesi është zhvilluar i qetë dhe pa incidente të rëndësishme, ndërsa për mbarëvajtjen e tij janë angazhuar 612 efektivë policie.
Në Bashkinë e Vlorës, me 171.895 votues dhe 231 qendra votimi, procesi ka nisur normalisht, megjithëse në disa qendra pati vonesa për shkak të ardhjes me vonesë të komisionerëve të opozitës dhe probleme të vogla me pajisjet e identifikimit elektronik. Në Berat, ku janë 116 qendra votimi dhe 82.161 zgjedhës, votimi po vijon pa pengesa. Në Cërrik, me 57 qendra dhe 38.724 votues, u raportua një problem teknik me pajisjen e identifikimit në një qendër, por situata u menaxhua nga stafi teknik. Edhe në Mat, me 47 qendra dhe 29.092 zgjedhës, si dhe në Tepelenë, me 21 qendra dhe 12.667 votues, procesi po vijon normalisht, ndonëse në Tepelenë disa komisionerë të opozitës u paraqitën me vonesë.
Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 13 kandidatë. Në Vlorë përballen Brunilda Mersini (PS), Dionis Sota dhe Gjergj Nika; në Berat, Ervin Ceca (PS) me Pavlo Shkarpën; në Cërrik, Florenc Doka (PS), Amarildo Hoxha dhe Eligert Hima; në Mat, Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha; ndërsa në Tepelenë, Gramoz Sako (PS) me Gabriel Gumën. Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të zgjasë deri në pranverën e vitit 2027, kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme vendore.