Ekzekutoi vëllezërit e bashkëshortes, lihet në burg Astrit Isufi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.11.2025, 08:32

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Astrit Isufit, i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të dy vëllezërve të bashkëshortes së tij, Driton dhe Naim Morina. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, seanca është mbajtur në ambientet e QKUK-së në Prishtinë, ku Isufi po merr trajtim mjekësor pas plagosjes. Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, vlerësoi se lirimi i të dyshuarit do të rrezikonte rrjedhën e hetimeve, përfshirë mundësinë e arratisjes apo ndikimin tek dëshmitarët, ndaj vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim deri më 6 dhjetor 2025.

Astrit Isufi, i cili u arrestua më 7 nëntor në fshatin Plloçicë pas më shumë se 15 orësh në arrati, dyshohet se qëlloi për vdekje dy vëllezërit e gruas së tij në fshatin Gollubovc të Malishevës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë zjarri, ndërsa motivet e sakta të vrasjes ende nuk janë bërë të ditura.

Policia konfirmoi se i dyshuari është plagosur gjatë ngjarjes, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile. Isufi kishte një histori të dhunës në familje. Në prill 2025, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar me burg dhe gjobë për rrahje dhe kërcënim ndaj bashkëshortes së tij, dënim i cili më pas u ul nga Gjykata e Apelit në tre muaj burgim. Në dosje përshkruhen episode të dhunës brutale ndaj gruas, kërcënime për vrasje dhe posedim i paligjshëm i armës – elemente që tani hedhin dritë mbi rrethanat e rënda që i paraprinë tragjedisë në Malishevë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit