Një aksident automobilistik ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në Tiranë, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe për pak sa nuk ka rënë në lumin Lana.
Siç shihet dhe në pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, makina ka dalë nga korsia dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse përgjatë lumit Lana, në afërsi të Urës së Shkozës. Automjeti ka dëmtuar një pjesë të kangjellave mbrojtëse dhe ka përfunduar në bregun e lumit, pa rënë brenda tij.
Dëmet materiale janë të dukshme, pasi kangjellat e hekurta janë shpërndarë përgjatë pistës së biçikletave dhe zonës përreth. Nga pamjet nuk ka informacion nëse ka pasur kalimtarë në zonë në momentin e aksidentit, dhe ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar.
JOQ Albania i bën apel drejtuesve të mjeteve për kujdes maksimal, sidomos gjatë orëve të natës. Për shkak të reshjeve të fundit që i kanë bërë rrugët të rrëshqitshme, kërkohet ulje drastike e shpejtësisë dhe rritje e vëmendjes për të shmangur aksidente të ngjashme.