Biletat për ndeshjen Andorrë-Shqipëri, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit, janë shitur plotësisht brenda vetëm 48 orësh. Federata e Futbollit të Andorrës ka njoftuar se stadiumi “Nou Estadi” do të jetë i mbushur në çdo vend dhe nuk ka më bileta në dispozicion për këtë takim.
Stadiumi i ri i Andorrës ka një kapacitet prej 5,600 vendesh, dhe nuk është çudi që një ndeshje ndërkombëtare të tërheqë një pjesëmarrje të madhe të tifozëve. Interesante është se për herë të parë në disa vite, Andorra raporton “Sold Out”, ndërkohë që në ndeshjen e muajit të kaluar kundër Serbisë, tribunat ishin pothuajse bosh, me më pak se 1,000 tifozë të pranishëm.
Tifozët shqiptarë pritet të jenë protagonistë kryesorë të mbrëmjes së 13 nëntorit, duke mbushur stadiumin për të mbështetur kombëtaren në një duel vendimtar për kualifikimin në play-off.
Në rast fitoreje ndaj Andorrës dhe një humbjeje të Serbisë nga Anglia, Shqipëria do të siguronte vendin e dytë në grup, duke shënuar një moment historik për ekipin kombëtar.
Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet të hënën në Barcelonë, ku do të vazhdojë përgatitjet deri një ditë para ndeshjes në Andorrë. Pas këtij dueli, kuqezinjtë do të presin Anglinë më 16 nëntor në “Air Albania”.