Një studim i fundit ka zbuluar se Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon, me një mesatare prej 89% më shumë se tregu bazë i Bashkimit Europian. Analiza, e cila ka krahasuar çmimet e produkteve të shitura nga të njëjtat kompani në vendet e tyre të origjinës dhe në tregjet e Ballkanit Perëndimor, tregon një mungesë të ndjeshme konkurrence në Shqipëri.
Pas rregullimit për ndryshimet në TVSH, asnjë produkt nuk rezultoi të ishte më i lirë në Shqipëri se në vendin amë të kompanisë. Madje, 34% e produkteve shiten me më shumë se dyfishin e çmimit, ndërsa disa artikuj arrijnë deri në 257% më shtrenjtë.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria renditet e para për çmimet më të larta, e ndjekur nga Mali i Zi (60%) dhe Maqedonia e Veriut (46%). Kosova, Bosnja dhe Serbia kanë diferenca më të moderuara, nga 23 deri në 37%.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e konkurrencës reale dhe dominimi i disa kompanive në treg janë ndër arsyet kryesore që po e bëjnë jetesën në Shqipëri gjithnjë e më të shtrenjtë.