Xhamia e Plumbit në Shkodër, ndër 50 më të bukurat në botë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 08.11.2025, 22:09

Një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shkodrës, Xhamia e Plumbit, vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara në qytet. Pas restaurimit të plotë, xhamia është shndërruar në një nga atraksionet më të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj.

E ndodhur pranë Kalase së Rozafës, xhamia ka një pozicion të favorshëm që e bën pjesë të pandashme të çdo guide turistike në Shkodër. Vizitorët që ngjiten për të parë kalanë, ndalojnë patjetër edhe në këtë monument të rrallë arkitektonik për të njohur historinë dhe bukurinë e tij.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, përfshirja e xhamisë në të gjitha guidat turistike kombëtare dhe ndërkombëtare ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e vizitave. “Pas restaurimit, interesi ishte i pritshëm. Xhamia e Plumbit është tashmë një ndër pikat më të njohura të qytetit, si për historinë, ashtu edhe për arkitekturën e saj unike”: thekson intitucioni.

Xhamia e Plumbit iu rikthye besimtarëve dhe vizitorëve më 8 maj 2025, pas tre vitesh punime të thelluara restauruese. Ajo u rindërtua pothuajse nga themelet, pas dëmtimeve të shumta që kishte pësuar ndër vite, përfshirë përmbytje dhe degradime strukturore.

Sot, pas rikonstruksionit, xhamia është më shumë sesa një objekt kulti është një tempull i besimit, historisë dhe kulturës shqiptare. Falë vlerave të saj arkitektonike dhe estetike, ajo është renditur ndër 50 xhamitë më të bukura në botë, duke e vendosur Shkodrën në hartën e destinacioneve më tërheqëse për turizmin kulturor dhe fetar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit