“Inspektori” i natës: I riu ‘misterioz’ që kontrollon dyert e makinave të parkuara

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.11.2025, 22:47

Një video e pazakontë dhe shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, e filmuar nga një kamer sigurie në një rrugicë në Vlorë, ku shihen të parkuara disa mjete. Pamjet, të regjistruara gjatë orëve të vona të natës, tregojnë një person të paidentifikuar, i cili kryen një veprim mjaft të dyshimtë.

Personi, i veshur me një hoodie, i afrohet secilës prej makinave të parkuara dhe provon nëse dyert e tyre janë të mbyllura. Siç duket qartë në video, ai lëviz ngadalë nëpër hapësirën e mjeteve të parkuara, duke tërhequr dorezën e dyerve të mjeteve në një lloj "inspektimi" të detajuar.

Qytetari që e ka dërguar videon, duke iu referuar sjelljes së tij, shprehet me ironi: "Një qytetar që kujdeset për makinat tona gjatë natës në Vlorë, nëse janë të gjitha në rregull."

Përpjekje për vjedhje apo "test" fatlum?

Ky veprim tregon qartë përpjekjen e individit për të gjetur një automjet, dera e të cilit mund të jetë lënë aksidentalisht hapur. Kjo metodë e njohur shpesh përdoret nga hajdutët e rasteve, të cilët shpresojnë të gjejnë brenda makinës objekte me vlerë, çelësa, apo portofola, pa pasur nevojë të thyejnë xhamin apo të detyrojnë hapjen e dyerve.

Sipas dërguesit të videos, ky rast shqetësues është denoncuar tashmë në organet e Policisë, dhe pritet identifikimi i personit.

Ky episod shërben si një kujtesë për të gjithë qytetarët që të sigurojnë mjetet e tyre dhe të verifikojnë mbylljen e dyerve, pasi siç shihet, vigjilenca e "inspektorëve" të natës është e lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit