Një incident i pazakontë ka ndodhur sot pranë rrethrrotullimit të spitalit rajonal të Elbasanit, ku rrjeti i ri i ujësjellësit ka shpërthyer duke shkaktuar një rrjedhje masive uji. Pamjet e siguruara nga JOQ Albania tregojnë momentin kur uji del me presion të lartë nga tubot, duke u ngritur disa metra në ajër dhe duke e kthyer zonën në një “shatërvan” të vërtetë në mes të rrugës.
Ngjarja ka shkaktuar jo vetëm habi, por edhe shqetësim tek banorët dhe drejtuesit e automjeteve që lëviznin aty pranë. Ata thonë se deri më tani askush nuk ka ndërhyrë për ta rregulluar.
Shpesh episode të tilla vënë në dukje problemet kronike me cilësinë e investimeve publike, ku shumë projekte të reja, të financuara me shuma të mëdha, degradojnë brenda pak kohësh. Ndërkohë, qytetarët e Elbasanit mbeten përballë pasojave rrugë të dëmtuara, rrjedhje uji dhe një kujdes të munguar nga institucionet që duhet të garantojnë sigurinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës.