Mediat sportive italiane kanë mbetur të impresionuara nga paraqitjet e Ylber Ramadanit në Serie A, mesfushorit të Kombëtares dhe skuadrës së Lecce-s, duke e krahasuar atë me një nga legjendat e futbollit botëror, Luka Modric.
Në një artikull të publikuar sot, Ramadani përshkruhet si “zemra dhe motori i Lecce-s”, një futbollist që ka rifituar shkëlqimin e tij me mbërritjen e trajnerit Eusebio Di Francesco. Ai ka marrë nën kontroll mesfushën, duke u bërë shtylla kryesore e skuadrës në çdo ndeshje.
Sipas statistikave, shqiptari ka një rekord mbresëlënës në 10 javët e para të kampionatit: 115.9 kilometra të përshkuara, më shumë se çdo lojtar tjetër në Serie A. Për këtë arsye, mediat italiane e kanë cilësuar “maratonisti autentik” i kampionatit italian.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është aftësia e tij për të rikuperuar topa. Ramadani ka 64 rikuperime në Serie A, shifër e barabartë me atë të Luka Modric, një nga mesfushorët më të mirë në historinë moderne të futbollit, i cili këtë sezon luan për Milan.
Për më tepër, ai është edhe lojtari që ka pësuar më shumë faulle te Lecce (14 deri më tani), një tregues i qartë se kundërshtarët e shohin si burimin kryesor të lojës së skuadrës.
Pas një sezoni të vështirë ku shpesh u la në stol, Ramadani është rikthyer në formën e tij më të mirë, duke treguar karakter, qëndrueshmëri dhe një përkushtim që po e bën të adhuruar nga tifozët italianë.
Një tjetër dëshmi e nivelit gjithnjë në rritje të futbollistit shqiptar, i cili po fiton respektin e të gjithëve në një nga kampionatet më të forta të botës.