Në fshatin Menik, njësia administrative Ndroq, banorët po përballen me ndërhyrje nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), i cili po prish gardhet dhe disa ndërtesa të vogla që ata kanë vendosur për të mbrojtur të mbjellat e tyre. Gardhet ekzistojnë prej më shumë se 30 vjetësh, ndërsa toka është përdorur nga familjet lokale për më shumë se 35 vjet, duke përfshirë kotecë pulash dhe një hangar bari.
Aksioni i prishjeve pa leje duket se prek vetëm banorët e thjeshtë, ndërsa vilat, kullat dhe resortet që kanë zënë frymën e qyteteve vazhdojnë të funksionojnë pa u shqetësuar nga qeveria dhe IMT.
Banorët shprehen se veprimet e IMT dhe disa punonjësve të bashkisë synojnë t’i largojnë ata nga toka dhe mund të interpretohen si përpjekje për t’i përzënë me forcë. Ata kërkojnë ndërhyrje të drejtë nga autoritetet për të mbrojtur pronën dhe punën e tyre të gjatë, duke siguruar që të drejtat e qytetarëve mbi tokën që kanë përdorur prej dekadash të respektohen.
“Përshëndetje JOQ. Shikoni ca po bën IMT, bashkia merret me gardhet e fshatarëve, se po mbrojnë të mbjellat e tyre. Në fshatin Menik, njësia administrative Ndroq. Sot është bërë video. Po i heqin si ndërtim pa leje, që këto gardhe kanë mbi 30 vjet që janë vendosur. Sot vjen IMT dhe thotë ndërtim pa leje. Vetëm gardhet po prishin, edhe nja dy kotec pulash, edhe këtë hangarin e barit. Përveç gardheve që janë me tela, toka është e lumit Erzen. Po ne e kemi shfrytëzuar për 35 vjet. Po tani është dikush në bashki që punon aty dhe pretendon ta marrë, me një fjalë duan me na përzënë me forcë”, shprehet banori për JOQ.