Policia Kufitare në Aeroportin e Rinasit ka vënë në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilët tentonin të hynin në territorin shqiptar. Arrestimet u bënë gjatë kontrolleve të intensifikuara në hyrje të vendit, në kuadër të masave për kapjen e personave që i shmangen drejtësisë.
Në pranga ka rënë Denis Xhelili, 41 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte dënuar nga autoritetet britanike me 13 vjet e 4 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike të klasit A. Ai ishte deportuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe pas verifikimeve në Rinas, rezultoi se kishte një vendim të njësuar nga Gjykata e Vlorës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Kurorës Luton–Chichester.
Gjithashtu, policia arrestoi edhe V. S., 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg për prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe M. M., banues në Korçë, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”. Policia Kufitare e Rinasit njoftoi se do të vijojë me kontrolle të rrepta dhe verifikime të detajuara për identifikimin dhe ndalimin e personave në kërkim.