Në qytetin e Fierit, banorët e lagjes pranë kompleksit “Apollon” kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të rrugës hyrëse që përdoret çdo ditë nga dhjetëra automjete dhe biznese të zonës. Rruga, sipas banorëve, është dëmtuar ndjeshëm dhe në një pjesë të saj janë krijuar dy gropa të mëdha që paraqesin rrezik për drejtuesit e mjeteve.
Ata shprehen të pakënaqur nga mungesa e ndërhyrjes së institucioneve, duke theksuar se rruga është e shkurtër dhe mund të ishte rregulluar prej kohësh. Banorët apelojnë që Bashkia Fier me kryebashkiak Armando Subashi, të marrë masa urgjente për riparimin e saj, pasi dëmtimet po përkeqësohen çdo ditë e më shumë.
“Përshëndetje JOQ! Lidhur me këto video, dua të shpreh shqetësimin tim si banor i kësaj lagjeje. Ndodhemi në qytetin e Fierit. Kjo është rruga hyrëse për te kompleksi Apollon, një lagje mjaft e populluar dhe me disa biznese të rëndësishme. Problemi që kam unë, dhe jo vetëm unë, është gjendja e kësaj rruge, e cila po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në një pjesë të saj janë krijuar dy gropa të mëdha, që paraqesin rrezik serioz për automjetet tona. Është për të ardhur keq që një rrugë kaq e shkurtër, e cila mund të rregullohej shpejt, është lënë të arrijë në këtë gjendje. Jam i bindur se edhe ata që punojnë në bashki kalojnë çdo ditë në këtë rrugë, por mesa duket nuk u bën përshtypje, sepse makinat e tyre janë të shtetit. Ju lutem ta publikoni, sepse vetëm nga ju shpresojmë që ky problem të marrë zgjidhje. Anonim, ju lutem. Faleminderit!”, shkruan qytetari.