Një ish-ushtarak 46-vjeçar, që punonte si taksist në Tiranë, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se furnizonte grupe kriminale me armë zjarri dhe lëndë narkotike. Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari Altin Celami përdorte taksinë e tij për të transportuar armët dhe municionin luftarak, në mënyrë që t’i shmangej kontrolleve të policisë.
Operacioni policor i koduar “Gun Expert”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në Rrugën e Dibrës, ku 46-vjeçari u kap në flagrancë. Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh, që dyshohet se do t’u shiteshin grupeve kriminale.
Celami ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2022, kur policia dhe prokuroria zbuluan se ai kishte blerë dy armë zjarri në Durrës dhe po hetohej nëse i kishte për dikë tjetër ose për motiv personal. Në kuadër të këtij hetimi, 14 persona u dërguan pas hekurave për vrasje, ndërsa ai akuzohej për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, hetuesit morën dëshminë e dy vëllezërve Beqiraj, të cilët u sulmuan në autostradën Durrës-Tiranë, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe të familjes.