Nesër, 334 mijë qytetarë në 5 bashki të vendit zgjedhin kryebashkiakët e rinj

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.11.2025, 09:25

Sot vendi ndodhet në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën, më 9 nëntor, mbi 334 mijë qytetarë në pesë bashki do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj vendorë. Bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena, ndërsa procesi do të monitorohet nga 612 efektivë policie të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e tij.

Në Vlorë, zgjedhjet mbahen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë. Socialistët garojnë me Bruna Mersinin, kandidate me lidhje lokale, ndërsa opozita mbështet Dionis Sotën, pavarësisht mungesës së një qëndrimi të unifikuar. Në garë është edhe Gjergji Nika, që pritet të testojë peshën e votës së pavarur në qytetin bregdetar.

Në Berat, gara zhvillohet mes socialistit Ervin Ceca dhe kandidatit të opozitës së bashkuar Pavllo Shkarpa. Të dy kandidatët janë përpjekur të fokusohen në çështje të zhvillimit urban dhe turizmit, sektorë që mbeten prioritet për qytetin muze. Në këtë bashki me mbi 82 mijë votues, gara pritet të jetë ndër më të vëzhguarat në vend.

Në Cërrik, përballja elektorale zhvillohet mes tre kandidatëve, Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, mjek i mbështetur nga Partia Demokratike, dhe Eligert Hima, përfaqësues i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Me rreth 39 mijë votues, gara në këtë bashki shihet si një test për ndikimin e forcave të reja politike. Kandidatët janë fokusuar në çështje të infrastrukturës dhe shërbimeve bazë.

Në Mat, garojnë tre emra, Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak për PS-në, Eduart Brahilika, jurist i mbështetur nga PD-ja, dhe Suzana Pasha. Në një bashki me rreth 29 mijë votues, gara pritet të jetë e ngushtë, duke qenë se Mat konsiderohet një zonë me ndikim të luhatshëm politik. Fushata ka qenë e qetë, por me premtime konkrete për zhvillim ekonomik dhe punësim.

Në Tepelenë, socialistët kanë kandiduar ish-drejtorin e Gardës së Republikës Gramoz Sako, ndërsa opozita mbështet arkitektin Grabiel Guma, vetëm 26 vjeç. Me rreth 12.600 votues, kjo është një nga bashkitë më të vogla në garë, por me një përballje simbolike midis përvojës dhe brezit të ri. Kandidatët janë fokusuar në zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Këto zgjedhje të pjesshme mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi procesin në Tiranë duke rikthyer në detyrë Erion Veliajn. Për pasojë, gara në 5 bashkitë e mbetura ka kaluar në një klimë më të qetë, me fushata të përqendruara kryesisht në çështje lokale. Fituesit e së dielës do të qeverisin deri në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit