Një bandë shqiptare është zbuluar duke kultivuar kanabis në një magazinë të fshehur pas një blloku banesash në Ostende, Belgjikë, pasi një zjarr i madh shpërtheu më 22 korrik 2024. Gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve, zjarrfikësit nuhatën erë të fortë kanabisi dhe zbuluan tetë tenda kultivimi me gjithsej 595 bimë, të pajisura me ndriçim profesional, sistem ventilimi dhe ngrohjeje. Hetimet treguan se energjia elektrike merrej ilegalisht nga një garazh pranë objektit.
Në vendngjarje u arrestua 22-vjeçari Ervin B., i cili pranoi se kishte mirëmbajtur plantacionin që nga shkurti i vitit 2024 kundrejt pagesës 100 euro në ditë. Më tej, autoritetet identifikuan edhe personat e tjerë të përfshirë: Xhuljo B. (38 vjeç), Leonard M. (41 vjeç), Kevin C. (36 vjeç) dhe Angelo C. (35 vjeç). Hetimet zbuluan se magazina ishte marrë me qira nga Leonard M. që në qershor 2022 përmes një kompanie greke fiktive, ndërsa dy të tjerët kujdeseshin për bimët në këmbim të kanabisit falas.
Gjykata e Bruges dënoi këtë javë Xhuljo B. dhe Leonard M. me nga tre vjet burg efektiv, ndërsa Ervin B. mori dy vjet dhe Angelo C. një vit burg. Kevin C. u dënua me tetëmbëdhjetë muaj burg, gjysma e të cilëve me kusht. Përveç dënimeve, të gjithë të akuzuarit u urdhëruan të paguajnë 173 mijë euro dëmshpërblim për energjinë e vjedhur nga rrjeti elektrik “Fluvius”.