Shkencëtari i njohur amerikan dhe fituesi i Çmimit Nobel, James D. Watson, është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare. Ai konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të shkencës moderne, për kontributin e tij historik në zbulimin e strukturës së spirales së dyfishtë të ADN-së – zbulim që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si kuptohet jeta në nivel molekular.
Në vitin 1953, së bashku me Francis Crick dhe Maurice Wilkins, Watson publikoi modelin e ADN-së që shpjegonte mënyrën se si materiali gjenetik ruan dhe përcjell informacionin biologjik. Ky zbulim u cilësua si një revolucion shkencor, duke hapur rrugën për zhvillimin e gjenetikës moderne, bioteknologjisë dhe mjekësisë gjenetike.
Për këtë arritje, treshja u nderua me Çmimin Nobel në Mjekësi dhe Fiziologji në vitin 1962, duke hyrë në historinë e shkencës si autorët e një prej përparimeve më të mëdha të shekullit XX.
Megjithatë, vitet e fundit të jetës së tij, Watson u shoqëruan edhe me polemika. Deklaratat e tij mbi racën dhe inteligjencën ngjallën reagime të ashpra në botën akademike dhe publike. Si pasojë, në vitin 2019, Laboratori Cold Spring Harbor institucioni ku ai kishte punuar për dekada i hoqi të gjitha titujt nderues.
Në vitin 2014, Watson vendosi të shesë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel, e cila u shit për 4.8 milionë dollarë. Pavarësisht polemikave që e ndoqën më vonë, ai mbetet një emër themelor në historinë e biologjisë moderne, një figurë që la pas një trashëgimi të pamatshme shkencore dhe intelektuale.
James Watson do të kujtohet si njeriu që ndihmoi botën të kuptojë kodin e jetës.