Një operacion policor në Malësinë e Madhe të Shkodrës, të dielën e 2 nëntorit, ka çuar në sekuestrimin e një shtëpie bari ku po kultivoheshin 1,110 bimë kanabis mes llambash.
Në vitet e fundit, shtëpitë e barit me bimë të kultivuara në ambient të mbyllur janë bërë sfida e madhe për autoritetet, pasi ato shpesh janë të vështira për t’u zbuluar dhe kontrolluar.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fillim të nëntorit, janë asgjësuar 213,856 bimë dhe fidanë kanabis në 12 qarqe të vendit. Krahasuar me vitin 2024, shifrat janë më të ulëta, me 137,705 rrënjë e fidanë më pak.
Qarku i Shkodrës qëndron i pari, me 186,460 bimë dhe fidanë të asgjësuar, duke përbërë mbi 87% të totalit kombëtar. Pas Shkodrës vjen Fieri me 9,305 bimë, Lezha me 8,123, Tirana 3,088, Durrësi 1,931, Dibëra 1,800, Vlora 1,279, Gjirokasta 736, Kukësi 642, Elbasani 297, Berati 191, dhe Korça me vetëm 4 bimë të zbuluara.
Ky raport tregon se, pavarësisht reduktimit krahasuar me vitin e kaluar, fenomeni i kultivimit të kanabisit mbetet i përhapur, me Shkodrën që vazhdon të mbajë rekord absolut në vend.