Autoritetet shqiptare “paskan zbuluar rastësisht” 25 tonë misër nga Serbia të kontaminuar me aflatoksinë, toksinë kancerogjene që kalon në qumësht dhe më pas në trupin e njerëzve. Mrekulli e vogël që këtë herë u bë analizë, se zakonisht mjafton një “OK” me sy mbyllur.
Sipas AKU-së, u kapën 10 kamionë me misër të ndotur, gjithsej 25 ton, të cilët “do të asgjësohen” pasi të mbyllen procedurat. Natyrisht me shpresën që asgjësimi nuk do të përfundojë si zakonisht nga magazina drejt tregut.
Institucioni thotë se kontrollet do të vazhdojnë në pikat kufitare. Shpresojmë që “të vazhdojnë” të mos thotë vetëm për një ditë, nga ato rastet kur shpallet sukses mediatik, por që realisht çdo ngarkesë të testohen përpara se të përfundojë në qumësht, në market dhe pastaj në barkun e qytetarëve.
Se historia na ka treguar një gjë: sa herë kapet një ngarkesë e tillë, pyetja e vetme që lind është… sa kanë kaluar pa u kapur?