Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Duhanas të Beratit, ku një 43-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrezuar teksa ishte duke mbledhur ullinj.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se Ermal Rripi, teksa ishte duke vjelë ullinj, të ketë humbur ekuilibrin dhe të jetë rrëzuar nga pema. Për pasojë ai ka marrë lëndime trupore dhe është nisur me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Beratit.
Për fat të keq 43-vjeçari nuk ka mundur që t’i mbijetojë lëndimeve të marra dhe ka ndërruar jetë përpara se të shkonte në spital.
Hetuesit po mbledhin prova për të konfirmuar rrethanat e ngjarjes tragjike, ndërkohë që familjarët kanë tërhequr trupin e të ndjerit për ceremoninë mortore.