Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot seanca ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për atentatin e ndodhur në vitin 2019 kundër ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”. Ngjarja e rëndë, që tronditi vendin më 1 nëntor të atij viti, i mori jetën shoferit të Ndojës, Andi Maloku.
Tre dëshmitarë të thirrur nga gjykata nuk u paraqitën, pasi sipas njoftimit zyrtar, nuk janë gjetur në adresat e tyre. Për këtë arsye, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, lexoi në sallë dëshmitë e dhëna më herët nga një prej dëshmitarëve okularë, i cili ndodhet jashtë vendit.
Sipas dëshmisë së lexuar, dëshmitari kishte parë dy automjete që ndaluan dhe disa persona që filluan të debatonin ashpër. Njëri prej tyre, që mbante një thikë në dorë, kishte bërë një deklaratë kërcënuese ndaj tjetrit, duke thënë: “Pse s’e mbarove punën, do ta pres fytin të… robt.”
Në vijim, prokurori Xholi lexoi edhe dëshminë e Aleksandër Lahos, e dhënë pak pas ngjarjes, ku ai tregonte se para atentatit kishte qenë për drekë me Arjan Ndojën dhe një mik tjetër.
“Teksa po largoheshim, pashë në trotuar një vajzë me emrin Lusi që e njihja. Ajo po na shikonte dhe më pas hipi në një makinë bashkë me një punonjës të Hipotekës,” – thuhej në dëshminë e Lahos.
As Laho nuk është gjetur për t’u marrë në pyetje, pasi rezulton në kërkim ndërkombëtar.
Në sallë, të pandehurit reaguan ndaj leximit të dëshmive. Plarent Dervishaj kërkoi që dëshmitarët të dalin personalisht përballë tyre: “Të vijnë në gjykatë e të na shohin. Të thonë nëse jemi ne personat që panë tek makina ‘Benz’.”
Ndërsa Julian Meçaj u shpreh se nuk kuptonte rolin e këtyre dëshmive në procesin e tij: “Këta dëshmitarë s’kanë lidhje me çështjen time.”
SPAK ka kërkuar që për këtë çështje të thirren edhe dëshmitarë të tjerë, mes tyre Luan Mata, babai i Ervin Matës.
Ngjarja e 1 nëntorit 2019, ku u qëllua ndaj makinës së ish-prokurorit Ndoja në autostradën Durrës–Tiranë, mbetet një nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit dhe një ndër dosjet më të ndërlikuara që po hetohen nga drejtësia.