Gjatë vitit 2024 qeveria investoi 46 milion lekë të reja për përforcimin e këmbëve të urës së Zogut mbi lumin Mat, një objekt që konsiderohet Monument Kulture. Investimi konsistoi në përforcimin e njërës prej këmbëve të urës, e cila ishte fundosur rreth 2.5 metër në ujë, dhe objekti rrezikonte shembjen.
Por duket se ky investim ishte një dështim i suksesshëm, pasi dot e kësaj dite, kur ka kaluar vetëm një vit nga riparimi, ura rrezikon përsëri shembjen. Sipas raportimeve të fundit, prurjet e shtuara të lumit Mat për shkak të reshjeve të ditëve të fundit, kanë shkaktuar dëmtime në urë.
Struktura e këmbës së urës në pjesën veriore kanë lëvizur, duke vendosur në pikëpyetje shanset që monumenti i kulturës të mund ta nxjerrë këtë dimër pa u shembur.
Ekspertët e Trashëgimisë Kulturore kanë bërë thirrje për ndërhyrje të plotë dhe sa më të shpejtë, për të mbrojtur këtë objekt me rëndësi të veçantë kulturore.
Ura e Zogut, ndërtuar në vitin 1927, është një nga monumentet më të rëndësishme të infrastrukturës historike shqiptare. Ajo njihet për harqet karakteristike dhe për rolin e saj si një nga urat kryesore që lidhte dikur Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.
Në vitet e fundit, për shkak të vërshimeve të ujit dhe shfrytëzimit pa kriter të lumit Mat për inerte, ura ka pësuar dëmtime të shumta, duke vënë në rrezik ekzistencën e saj.
Shkrimi u mor nga TVA News!