Prokuroria e Korçës ka shpallur pretencën për shtatë të pandehurit e dosjes penale nr. 252, që lidhet me atentatin me armë të ndodhur më 8 gusht 2020 ndaj hotel “Voloreka” në Pogradec, ku objektiv ishte Johan Muçollari, djali i pronarit të hotelit. Sipas hetimeve, atentati u krye për të frikësuar pronarin e hotelit dhe për ta penguar të dëshmonte në një seancë gjyqësore. Gjatë sulmit me armë, autori zbrazi mbi 100 plumba kallashnikovi, duke dëmtuar shtatë makina luksoze dhe duke rrezikuar jetën e klientëve që ndodheshin në hotel.
Në këtë çështje, prokuroria ka kërkuar dënime të rënda për të pandehurit. Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”, akuzohet për pesë vepra penale, përfshirë “Vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”, për të cilat kërkohet 25 vite burgim. Për Anterio Kaloshin, i njohur si bashkëpunëtor i Laert Haxhiut dhe aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm, është kërkuar 15 vite burg. Ndërkohë, për Elvir Haxhian kërkohen 24 vite, për Ilir Meçollin 22 vite, për Ervin Kalanë 9 vite, ndërsa për Ardian Xhutin dhe Mariglen Topuzin nga 3 vite burg secilit.
Ngjarja e rëndë e gushtit 2020 tronditi Pogradecin, pasi hotel “Voloreka” u bë objekt sulmesh me armë dy herë brenda një jave, më 1 dhe 8 gusht. Hetimet zbuluan se atentati ishte një akt i mirëorganizuar, me qëllim ushtrimin e presionit dhe terrorit ndaj familjes Muçollari. Prokuroria pritet të dërgojë çështjen për vendim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë në javët në vijim.