Banorët e Durrësit protestë te Kryeministria: Kundër TID, po na nxjerrin nga shtëpitë për një lulishte

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.11.2025, 13:09

74 familje nga Durrësi kanë protestuar sot përpara godinës së Kryeministrisë, kundër vendimit të autoriteteve, projektit TID për shembjen e banesave të tyre në zonën pranë amfiteatrit të qytetit. Banorët shprehen se janë njoftuar papritur se shtëpitë e tyre do të prishen për t’i hapur vendin një lulishteje publike, pa u pyetur dhe pa u marrë dakordësia e tyre.

Prej ditësh, 74 familjet që preken nga zbatimi i projektit TID kanë nisur të kërkojnë mbështetjen e familjeve durrsake për nënshkrimin e peticionit kundër shpronësimeve të padrejta. Sipas protestuesve, procesi i shpronësimit po bëhet me çmime reference, që nuk pasqyrojnë vlerën reale të pronave dhe nuk u japin mundësi të blejnë një banesë të re. Ata thonë se kanë marrë vetëm tre muaj afat për të plotësuar dokumentet e shpronësimit, ndërsa ndihen të pambrojtur dhe të injoruar nga institucionet.

“Po na heqin nga shtëpitë tona për një lulishte, pa asnjë alternativë strehimi,” u shprehën banorët në protestë, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për rishikimin e vendimit dhe respektimin e të drejtës së tyre të pronës. Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë protestat deri në anulimin e projektit në formën aktuale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit