Familja në zi për vdekjen e të atit, dhëndri ekzekutoi dy vëllezërit

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 07.11.2025, 10:57

Pas një operacioni intensiv kërkimi që zgjati gjatë gjithë natës, Policia e Kosovës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë që tronditi Malishevën një ditë më parë.

I arrestuari është identifikuar si Astrit Isufi, i cili dyshohet se ekzekutoi me armë zjarri vëllezërit Naim dhe Driton Morina, në derën e shtëpisë së tyre, në një moment kur familja ishte në zi për humbjen e babait.

Sipas Policisë, arrestimi u krye mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:30. I dyshuari është gjetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë për trajtim në QKUK.

“Po sot, rreth orës 06:30, është arrestuar i dyshuari. Ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, është dërguar për trajtim në QKUK,” – deklaroi drejtori rajonal i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.

Ende nuk është bërë e qartë se në ç’rrethana është plagosur Astrit Isufi, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ai ka tentuar të vetëvritet pas kryerjes së krimit.

Ngjarja ndodhi të enjten paradite, rreth orës 11:00. Sipas familjarëve, Astriti qëlloi për vdekje dy vëllezërit e gruas së tij para syve të njerëzve, vetëm pak ditë pas varrimit të babait të tyre.

“Familja ende ishte duke pritur njerëz për ngushëllim. Ai u kthye dhe i vrau para syve tanë. Edhe babën e kishim varrosë para pak ditësh,” – tregoi një i afërm i familjes për mediat.

Ky krim i rëndë ka tronditur opinionin publik dhe është cilësuar si një ndër rastet më të rënda të ditëve të fundit në Kosovë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit